PSE KODI ZGJEDHOR ËSHTË ANTIKUSHTETUES

Nga Bledar Dika.

Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë parimi i përfaqësimit politik riperseritet disa herë. Kështu në nenin 1 pika 3 Kusht. ndërsa citohet që “Qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike”, me këtë nënkuptojmë që nëpërmjet votimeve në zgjedhjet elektorale, në kuadrin e një demokracie përfaqësuese me formë qeverisje parlamentare, shprehet vullneti i popullit, i cili thërritet të ushtrojë sovranitetin e tij për të përzgjedhur përfaqësuesit e tij e jo më kot neni 2 pika 1 e 2 citon që  “Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit”, “Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti”. Pra, parashikohet qartë që është populli që zgjedh përfaqësuesit e tij nëpërmjet votës në zgjedhjet elektorale, votë e cila sipas nenit 45 pika 4 e Kusht. duhet të jetë vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë. Në këtë perspektive mekanizmi zgjedhor duhet domosdoshmërisht të respektoje diktatin e këtyre normave kushtetuese. Por Kodi Zgjedhor duket inkoherent me këto dispozita.

Më konkretisht, në nenin 98 përcaktohet që fleta e votimit mjaftohet në përmbajtje vetëm duke paraqitur emrat dhe siglat e subjekteve zgjedhore parti apo koalicione partishë pa paraqitur kandidatët efektivë, të cilët janë të predispozuar për t’u zgjedhur përfaqësues. Pra zgjedhësit i nënshtrohen një votimi ku duhet të shënjojnë vetëm partinë apo koalicionin e partive të preferuara. Në të njejtën linjë inkoherence dhe shumë e qartë në këtë pikë është dispozita e nenit 106 të kodit zgjedhor ku ndërsa disiplinon aktin e votimit parashikon që  “pasi merr fletën e votimit, zgjedhësi hyn i vetëm në dhomën e fshehtë dhe në fletën votimit shënon në krah të emrit të subjektit zgjedhor apo partisë pjesëtare të një koalicioni shenjën “x” ose “+” apo një shenjë tjetër që tregon qartë zgjedhjen e bërë prej tij. Pas votimit në bllok të një liste kandidatësh të paparaqitur, por të “nënkuptuar” nga siglat e partive të shumta, sipas nenit 163 pika 5 e kodit zgjedhor përcaktohen mandatet nominale për çdo parti politike, në bazë të renditjes së kandidatëve në listë, duke theksuar kështu edhe njëherë listën e bllokuar pa votë preferencë.

Në këto kushte, me dispozita të tilla që parashikojnë një votim substancialisht vetëm për siglën e partive, të cilat kanë prerogativën për të hartuar e renditur kandidatët sipas dëshirës së tyre duke mos i lejuar zgjedhësit të shprehin asnjë preferencë mbi vetë kandidatët për më tepër të paparaqitur në fletën e votimit e bën votën substancialisht indirekte, ndërsa zgjedhja efektive e deputetëve e jo më e kandidatëve i kalon partive politike në kundërshtim me parimin e përfaqësimit të nenin 2 të Kusht. dhe të votës vetjake dhe të lirë sipas nenit 45 të Kusht.

Përtej antikushtetueshmërisë së dispozitave të lartpërmendura, efektivisht ky sistem zgjedhor mbyt autonominë e përfaqësuesve dhe vetë “deputeti është i vetëdijshëm se mundësitë për zgjedhje varen kryesisht nga vendi rendor, që ai ka në listën e paraqitur nga partia. Prandaj për të, më shumë se vlerësimi nga zgjedhësit, kanë rëndësi lidhjet me udhëheqjen e partisë, çka favorizon edhe shfaqjet e konformizmit dhe të karrierizmit,  fenomene këto që nuk i gëzojnë një parimi tjetër kushtetues siç është ai i “ndalimit të madatit detyrues” i saksionuar nga Neni 70 pika 1 Kusht.(“Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues”), por edhe nga të gjitha kushtetutat perendimore duke u lartësuar nga Këshilli Europian si një nga parimet themeltare të një sistemi demokratik.

Në kuadër gjithnjë të antikushtetueshmërisë së dispozitave të lartpërmendura mund të ritheksohemi në këtë trajtesë nëpërmjet juspublicistikës krahasuese. Më konkretisht nëpërmjet një vendimi të Gjykatës Kushtetuese Italiane, e cila ka gjasa, gjithnjë nën ndikimin e juspublicistikës krahasuese, të reflektojë në të gjitha ato rende juridike ku zhvillohen zgjedhjet elektorale me fletë votimi me lista të gjata e të mbyllura kandidatësh.

Nëpërmjet vendimit n. 1/2014 Gjykata Kushtetuese italiane shpreh se me sistemin aktual zgjedhor në Itali “Vota e shprehur nga zgjedhësit e destinuar për të përcaktuar totalisht kompozimin e Kuvendit është një votë për zgjedhjen e një liste, duke i hequr çdo mundësi zgjedhësit që të ndikojë në zgjedhjen e përfaqësuesve të tij, gjë e cila varet, pavarësisht e përtej, numrit të mandateve te fituara nga lista e shënuar edhe nga renditja e kandidateve ne liste, renditje kjo e cila ështe e vendosur totalisht nga partitë. Preferenca e zgjedhësve, në terma të tjera, përkthehet në një votë preference për listën (në rastin Shqiptar përkthehet në një votë preference thjeshtë për siglën) – e cila e paraqitur në zona elektorale shumë të mëdha – përmban një numër të madh kandidatësh, që korrespondojnë me të gjithë numrin e mandateve që i përkasin zonës zgjedhore, dhe i bën si rrjedhojë vështirësisht të dallueshëm nga vetë elektorati”. “Një disiplinë e tillë e privon zgjedhësin nga çfarëdo lloj hapësirë për të zgjedhur përfaqësuesit e tij, zgjedhje që është totalisht e vendosur në duart e partive”.

Gjykata kushtetuesse italiane shpjegon gjithashtu se nuk është kundër rolit ndërmjetsues të partive politike të sanksionuara nga ligji dhe nga vetë kushtetuta që i kualifikon ato si subjekte të afta për të paraqitur alternativat elektorale, pra ashtu si kjo gjykatë ka shprehur dhe më përpara nëpërmjet vendimit 203/1975 nuk është kundër paraqitjes së listave me kandidatë të renditur nga partitë në fletët votimit kur zgjedhësit i lejohet e i garantohet të manifestojë vullnetin e tij nëpërmjet votës së preferencës duke shënjuar vetë kandidatin e preferuar pavarësisht renditjes që gjen në fletën e votimit. Ndërsa në rastin   e ligjit n. 270/2005, të ashtuquajtur “porcellum”, kjo liri rezulton e kompromentuar duke parë që qytetari, ashtu si dhe në rastin shqiptar “është i thirrur për të përcaktuar zgjedhjen në bllok të të gjithë deputetëve (…), duke votuar shpesh herë një listë të gjatë kandidatësh, që vështirësisht njeh”.

Pra në konkluzion, gjykata kushtetuese italiane thekson që “parlamentarëve të zgjedhur në këtë mënyrë, pa asnjë përjashtim, i mungon mbështetja – që vjen nga- përzgjedhja personale – që duhet të kryejnë – qytetarët, gjë e cila përbën logjikën e përfaqësimit të parashikuar në Kushtetutëkushte të tilla votimi, që detyrojnë qytetarin, duke zgjedhur një listë, të zgjedhë në bllok edhe të gjithë kandidatët e shumtë të rënditur në të, që nuk ka patur mundësi t’i njohë e ti vlerësojë dhe që janë automatikisht të destinuar, sipas pozicionit në listë, të bëhen deputetë ose senatorë, e bën votën, të ushtruar në këtë mënyrë, të tjetërsuar.

Në këto kushte norma e ligjit elektoral që merret në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese italiane “jo vetëm tjetërson totalisht raportin e përfaqësimit midis zgjedhësve dhe të zgjedhurve por duke ndaluar që ky raport të instaurohet korrektësisht dhe drejtpërsëdrejti, shtrëngojnë lirinë e qytetarëve-zgjedhës të shprehin preferencën rreth kandidatëve që konsiderohen më përfaqësues në Parlament, e cila përbën një nga shprehjet kryesore të sovranitetit popullor, kështu që kontradiktojnë principin demokratik, duke ndikuar në vetë principin e votës së lirë sipas nenit 48 Kusht.

Të gjitha ato dispozita të procesit zgjedhor, që paracaktojnë fletë votimi ku nuk pasqyrohen kandidatët por vetëm sigla, por akoma më e rëndësishme kur sigla nënkupton një listë kandidatësh të bllokuar sipas renditjes që përcakton partia, duken, në kuadër të konsiderimeve të më larta, si antikushtetuese.

Në këto kushte, me dispozita të tilla që parashikojnë një votim substancialisht vetëm për siglën e partive, të cilat kanë prerogativën për të hartuar e renditur kandidatët sipas dëshirës së tyre duke mos lejuar zgjedhësit të shprehin asnjë preferencë mbi vetë kandidatët për më tepër të paparaqitur në fletën e votimit e bën votën substancialisht indirekte, ndërsa zgjedhja efektive e deputetëve e jo më e kandidatëve i kalon partive politike në kundërshtim me parimin e përfaqësimit të nenit 2 të Kusht. dhe të votës vetjake dhe të lirë sipas nenit 45 të Kusht.

Në vazhdën e këtyre argumenteve Kodi Zgjedhor shqiptar paraqitet si antikushtetuese sepse ushtrimi i së drejtës së votës në këtë mënyrë është ne kontrast me atë që Kushtetuta thekson në nenin 45 pika 4 “Vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë” pra që vota duhet shprehur nga personi që voton “elektorati aktiv” dhe duhet marrë nga personi apo personat që kandidohen (elektorati pasiv). Në këtë sens neni 45/1, 45/2 dhe 45/3 të Kushtetutës shprehin qartë se kush është elektorati pasiv. Pra subjektet zgjedhore mund të paraqesin kandidatë për deputetë në nivel zone zgjedhore (siç parasheh edhe neni 68 Kusht), por kurrsesi të zëvëndësojnë elektoratin pasiv sikundër ndodh me këtë praktik të listave të mbyllura, përkundër të paparaqitura në fletën e votimin dhe ku elektorati aktiv nuk ka mundësinë të shënjoj preferencën për kandidatët për deputet (elektoratin pasiv). Si në nivel kushtetues, interpretativ dhe doktrinal është paqësor konceptualizimi i partisë si ndërlidhëse, si një “quid medium”, që propozon elektoratin pasiv, një urë lidhëse apo nje kanal trasmetimi midis zgjedhësve dhe të zgjedhurve, midis popullit dhe përfaqësuesve, afron njërën palë me tjetrën dhë bën të mundur krijimin e një marrëdhënie të ngushtë reciprociteti nëpërmjet palëve.

Duke i atribuar rëndësi thelbësore rënditjes së kandidatëve të paraqitur në listat e depozituata në KQZ, listat që përpilohen nga organet e partive, të cilat eliminojnë ç’do fuqi të elektoratit aktiv të vendosë në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe të lirë rreth kompozimit të Kuvendit, duket sikur ndeshin me parimet kushtetuese. Një Kod Zgjedhor që nëpërmejt votës, kërkon thjesht që zgjedhësit të ratifikojnë renditjen e vendosur nga organet e partive politike, pra jo të zgjedhin në mënyrë të lirë një nga kandidatët e listave shumëemërore që duhet të paraqiten nga subjektet zgjedhore, por të miratojnë në mënyrë të shtrënguar ata të cilët janë të nënkuptuar nga sigla e subjektit zgjedhor dhe të përcaktuar nga vullneti i partive në pocizionet më të volitshme, të ahtëquajtura “të sigurta”, duken pa asnjë mëdyshje si antikushtetuese.

Në kuadrin e ketij shtjellimi, në një konsiderim të fundit, kerkesat apo protestat për zgjedhje të lira dhe të ndershmë do të humbasin legjitimitet nëse nuk sulmohet Kodi Zgjedhor në ato dispozita që kemi lartëpërmendur, pra edhe sikur zgjedhjet të administroheshin nga një Qeveri Teknike apo edhe nga Ndërkombëtarët, me këtë kod zgjedhor ato duke shtrënguar zgjedhësit në votime nuk do të ishin të lira dhe as më pak të ndershme.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *